Korpusi Evropian i Solidaritetit (ESC) është një iniciativë e Bashkimit Evropian që u ofron të rinjve e të rejave mundësi për t’u angazhuar në vullnetarizëm ose për të kontribuar në projekte, si brenda shteteve të tyre ashtu edhe në shtetet e tjera evropiane. Organizatat nga Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi dhe Serbia) përmes këtij programi mund të dërgojnë të rinj e të reja nëpër shtete në të gjithë Evropën ose të mirëpresin të rinj e të reja nga ato shtete, për të zhvilluar aktivitete vullnetare në një periudhë afatshkurtër ose afatgjatë.
Korpusi Evropian i Solidaritetit synon të nxisë një ndjenjë solidariteti midis të rinjve e të rejave evropiane, duke mbështetur gjithashtu organizatat që punojnë drejt ndikimit pozitiv në shoqëri. Ai është i hapur për pjesëmarrës nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga disa vende fqinje dhe të asociuara. Nëpërmjet Korpusit Evropian të Solidaritetit, të rinjtë e të rejat mund të kontribuojnë për të sjellë ndryshime pozitive duke fituar përvoja dhe aftësi të vlefshme. Këto projekte shkojnë edhe në përfitim të komuniteteve lokale dhe adresojnë sfidat shoqërore në tema sociale, mjedisore dhe të tjera.
Organizatat nga Ballkani Perëndimor mund të jenë ORGANIZATA PARTNERE në projektet e vullnetarizmit.
Projektet e vullnetarizmit u ofrojnë të rinjve e të rejave mundësinë për të marrë pjesë në aktivitete solidariteti duke kontribuar në punën e përditshme të organizatave mikpritëse, në përfitim përfundimtar të komuniteteve rreth të cilave kryhen aktivitetet. Nga ana tjetër, projektet e vullnetarizmit u ofrojnë organizatave mundësinë për të përfshirë vullnetarë të rinj ndërkombëtarë në aktivitetet e tyre, duke shtuar kështu një dimension evropian dhe ndërkulturor në punën e tyre si dhe duke u ofruar anëtarëve, përfituesve dhe vullnetareve/vullnetarëve të rinj mundësinë për të bashkëvepruar, për t’u takuar dhe rrjetëzuar me bashkëmoshatarë nga prejardhje të ndryshme. Vullnetaret/Vullnetarët e rinj mund t’u ofrojnë organizatave njohuri, aftësi, qëndrime dhe frymë entuziazmi që janë të rëndësishme në punën e tyre të përditshme!
Vullnetarizmi është një aktivitet me kohë të plotë dhe pa pagesë. Ky lloj aktiviteti solidar ndërmerret nëpërmjet organizatave mbështetëse dhe mikpritëse që u ofrojnë të rinjve e të rejave mundësinë për të kryer një shumëllojshmëri aktivitetesh, në mënyrë të strukturuar.
Një sërë masash dhe shërbimesh, si trajnimi, mbështetja për mësimin e gjuhës, identifikimi dhe dokumentimi i kompetencave të fituara, sigurimi i jetës janë parashikuar për të garantuar cilësinë e aktiviteteve vullnetare si edhe një dimension edukativ për pjesëmarrësit.
Projektet ndërkombëtare të vullnetarizmit janë për të rinjtë e të rejat e moshës 18 – 30 vjeç, të cilët mund të përfshihen në projekte vullnetare ndërkombëtare për një periudhë nga 2 javë deri në 12 muaj. Ekzistojnë tre lloje projektesh: vullnetarizmi individual (2 javë deri në 12 muaj), vullnetarizmi individual që synon lehtësimin e pjesëmarrjes së të rinjve e të rejave me më pak mundësi (2 javë deri në 2 muaj) dhe skuadrat vullnetare, ku përfshihet një grup vullnetarësh vendas dhe ndërkombëtarë për një kohëzgjatje nga 2 javë deri në 2 muaj. Në rastin e vullnetarizmit në skuadër ose gjatë përfshirjes së vullnetareve/vullnetarëve me më pak mundësi**, mobilitetet mund të zgjasin edhe 2 javë.
Projektet e vullnetarizmit përfshijnë të paktën 2 organizata: mbështetëse (dërguese) dhe mikpritëse. Çdo organizatë e përfshirë në projekt duhet të akreditohet me një Etiketë Cilësie të Korpusit Evropian të Solidaritetit.
Mësoni më shumë KËTU.
Falë programit Erasmus+ dhe Shërbimit Vullnetar Evropian (paraardhësi i Korpusit Evropian të Solidaritetit), më shumë se 100.000 të reja e të rinj evropianë udhëtuan nëpër Evropë dhe më gjerë dhe eksploruan kultura dhe vende të reja. Më shumë informacion KËTU.
* Ky emërtim është pa paragjykim për pozicionet dhe statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
** Të rinjtë e të rejat me më pak mundësi janë ata që ndodhen në një situatë më pak të favorshme në krahasim me moshataret/moshatarët e tyre për arsye sociale (përkatësi etnike, orientim seksual, të rinj pa prindër), arsye ekonomike (standarde më të ulëta jetese, varfëri), shëndetësore (sëmundje kronike), gjeografike (zona të largëta, të braktisura, rurale), kulturore (emigrantë, refugjatë, grupe minoritare), arsimore (të rinjtë me vështirësi në të nxënë, pa kualifikime formale, të rinj që braktisin arsimin), me aftësi të kufizuara (mendore, fizike, shqisore), ose arsye të tjera.