MUNDËSITË E OFRUARA NGA ERASMUS+ NË FUSHËN E RINISËPËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Erasmus+ është programi i Bashkimit Evropian për arsim, trajnim, rini dhe sport. Ai ofron një sërë mundësish për bashkëpunim mes organizatave rinore ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera evropiane.

Organizatat nga Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova* dhe Mali i Zi) mund të jenë ORGANIZATË KOORDINATORE (d.m.th., të dorëzojnë aplikimin dhe të marrin grantin) ose ORGANIZATË PARTNERE në Projektet e Ngritjes së Kapaciteteve në Fushën e Rinisë (CBY).

Organizatat nga Ballkani Perëndimor mund të jenë vetëm ORGANIZATË PARTNERE në shkëmbimet rinore, projektet e Mobilitetit për punëtorët rinorë, projektet për pjesëmarrjen rinore dhe partneritetet për bashkëpunim në fushën e rinisë.

Të rinjtë e të rejat nga Ballkani Perëndimor mund të përfshihen në projekte si Shkëmbimet Rinore, Projektet e Pjesëmarrjes Rinore dhe “Discover EU” (“Zbulo BE-në”).

Punonjësit rinorë dhe koordinatorët e projekteve nga Ballkani Perëndimor mund të përfitojnë nga projektet e Mobilitetit për punëtorët rinorë, Projektet e Ngritjes së Kapaciteteve në fushën e rinisë dhe Partneritetet për Bashkëpunim në fushën e Rinisë.

Mbi 50 shtete janë të përfshira në programin Erasmus+, duke mundësuar diversitet të madh dhe mësim ndërkulturor mes pjesëmarrësve.

Projektet ku organizatat nga Ballkani Perëndimor mund të jenë ORGANIZATË KOORDINATORE DUKE APLIKUAR DIREKT PËR FINANCIM:

Projektet e ngritjes së kapaciteteve janë projekte bashkëpunimi ndërkombëtar të bazuara në partneritete shumëpalëshe ndërmjet organizatave aktive në fushën e rinisë. Ato synojnë të mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar dhe dialogun politik në fushën e rinisë dhe atë të edukimit jo-formal, si shtytës të zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik dhe mirëqenies së organizatave rinore dhe të rinjve e të rejave.

Temat e projekteve për ngritjen e kapaciteteve janë pjesëmarrja politike dhe dialogu me vendimmarrësit; përfshirja e të rinjve e të rejave me mundësi më të pakta; demokracia, sundimi i ligjit dhe vlerat; fuqizimi, angazhimi dhe punësimi i të rinjve e të rejave; paqja dhe pajtimi pas konfliktit; mjedisi dhe klima; anti-diskriminimi dhe barazia gjinore; aftësitë dixhitale dhe sipërmarrëse.

Projektet e ngritjes së kapaciteteve nuk kanë kufizime për sa i përket moshës së pjesëmarrësve ose madhësisë së grupit dhe mund të zgjasin për 12, 24 ose 36 muaj.

Granti i BE-së për projekt varion nga minimumi prej 100,000 € te maksimumi prej 300,000 €.

Mësoni më shumë KËTU.

Projektet Erasmus+ në të cilat organizatat nga Ballkani Perëndimor mund të jenë VETËM ORGANIZATË PARTNERE:

Shkëmbimet Rinore janë takime ndërkombëtare të grupeve të të rinjve e të rejave nga të paktën dy vende të ndryshme, të cilët mblidhen për një periudhë të shkurtër për të zbatuar së bashku një program përmes edukimit jo-formal (një përzierje e seminareve, ushtrimeve, debateve, lojërave me role, simulimeve, aktiviteteve në natyrë, etj.) lidhur me një temë sipas interesit të tyre. Periudha e mësimit përfshin një periudhë planifikimi përpara aplikimit, një fazë paraprake përgatitore si dhe vlerësimin e aplikimin e rezultateve pas shkëmbimit.

Objektivat e përgjithshme:
Shkëmbimet Rinore synojnë të angazhojnë dhe fuqizojnë të rinjtë e të rejat për t’u bërë qytetarë aktivë, të përçojnë te ta Vlerat Evropiane si edhe t’i ndihmojnë ata për të fituar dhe zhvilluar kompetenca për jetën dhe të ardhmen e tyre profesionale.

Në Shkëmbimet Rinore mund të marrin pjesë persona nga 13 deri në 30 vjeç. Ato zgjasin nga 5 deri në 21 ditë. Grupet e të rinjve e të rejave që marrin pjesë në shkëmbime mbështeten nga drejtues të rritur. Një Shkëmbim Rinor mund të përfshijë gjithsej nga 16 deri në 60 pjesëmarrës.

Mësoni më shumë KËTU.

Këto projekte mobiliteti mbështesin zhvillimin profesional të punonjësve rinorë dhe në këtë mënyrë zhvillimin e punës rinore cilësore në nivel lokal, rajonal, kombëtar, evropian dhe ndërkombëtar, përmes përvojave ndërkombëtare të të mësuarit informal dhe jo-formal. Projektet e mobilitetit ofrojnë mundësi për zhvillimin e kompetencave të punonjësve rinorë dhe trajnerëve të të rinjve. Këto mobilitete ndërtojnë një komunitet që mund të mbështesë cilësinë e projekteve dhe aktiviteteve për të rinjtë e të rejat .

Mobilitetet për punonjësit rinorë mund të përbëhen nga një ose më shumë aktivitete të zhvillimit profesional, d.m.th. vizita studimore, job-shadowing, aktivitete rrjetëzimi dhe ndërtimi komuniteti, trajnime, punëtori dhe seminare. Këto projekte mund të përfshijnë zhvillim sistemi dhe aktivitete të punës në terren, të cilat janë aktivitete plotësuese që synojnë të rrisin ndikimin e projektit në terren. Ato përfshijnë aktivitete që kontribuojnë në cilësinë, sjelljen e risive e njohjen e punës rinore dhe përdorimin e mjeteve të reja për organizatat e përfshira në projekte dhe më gjerë.

Projektet e mobilitetit për punonjësit rinorë nuk kanë kufij moshe dhe mund të përfshijnë deri në 50 pjesëmarrës në total. Mobiliteti mund të zgjasë nga 2 ditë deri në 2 muaj.

Mësoni më shumë KËTU.

Projektet për Pjesëmarrjen Rinore janë aktivitete të edukimit jo-formal, që zhvillohen në nivel lokal ose në bashkëpunim ndërkombëtar, që fokusohen në pjesëmarrjen aktive të të rinjve e të rejave. Aktivitetet e mbështetura duhet të ndihmojnë pjesëmarrësit të forcojnë kompetencat e tyre personale, sociale, qytetare dhe dixhitale dhe të bëhen qytetarë evropianë aktivë. Projektet për Pjesëmarrjen Rinore mund të marrin formën e veprimit qytetar dhe aktivizmit rinor, duke ju mundësuar të rinjve e të rejave të angazhohen në mënyra të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që kanë rëndësi për ta.

Këto projekte mbështesin përdorimin e formave alternative, novatore, inteligjente dhe dixhitale të pjesëmarrjes së të rinjve e të rejave, duke përfshirë shtrirjen e pjesëmarrjes së tyre në një sërë sektorësh dhe hapësirash (shërbime shëndetësore, objekte sportive etj., pavarësisht nëse këto operohen nga sektori publik apo privat), duke hapur shtigje për pjesëmarrje aktive për të rinjtë e të rejat nga të gjitha shtresat.

Në Projektet për Pjesëmarrjen Rinore mund të marrin pjesë persona nga 13 deri në 30 vjeç, ato zgjasin nga 3 deri në 24 muaj. Pjesëmarrësit, veçanërisht ata me mundësi më të pakëta, mund të mbështeten nga një trajner.

Mësoni më shumë KËTU.

Qëllimi kryesor i Partneriteteve për Bashkëpunim në fushën e rinisë është t’u mundësojë organizatave të rrisin cilësinë dhe ndikimin e aktiviteteve të tyre, të zhvillojnë dhe përforcojnë rrjetin e partnerëve, të rrisin kapacitetin për të vepruar së bashku në një nivel ndërkombëtar, duke nxitur ndërkombëtarizimin e aktiviteteve të tyre nëpërmjet shkëmbimit ose zhvillimit të praktikave dhe metodave të reja, si edhe shkëmbimit e ballafaqimit të ideve.

Këto projekte synojnë të mbështesin zhvillimin, transferimin dhe/ose zbatimin e praktikave novatore, si edhe zbatimin e iniciativave të përbashkëta që promovojnë bashkëpunimin, të mësuarit mes kolegësh dhe shkëmbimin e përvojës në nivel evropian. Rezultatet duhet të jenë të ripërdorshme, të transferueshme, të shkallëzueshme dhe, nëse është e mundur, të kenë një dimension të fortë ndërdisiplinor.

Partneritetet për Bashkëpunim përfshijnë të paktën 3 organizata nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e treta të lidhura me Programin (më parë të quajtura vende të Programit) dhe vende të treta që nuk ishin të lidhura me Programin (më parë të quajtura vende partnere) që përfshinin vendet e Ballkanit Perëndimor, por vetëm nëse ato sjellin një vlerë e shtuar thelbësore për projektin.
Mësoni më shumë KËTU.


Që nga viti 2015, Veprimi: “Ndërtimi i Kapaciteteve në Fushën e Rinisë” mbështeti 299 projekte të koordinuara nga organizata nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova* dhe Mali i Zi, të cilat morën gjithsej 34 milionë euro fonde. Eksploroni projektet e mbështetura KËTU.

* Ky emërtim është pa paragjykim ndaj pozicioneve dhe statuseve, dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Skip to content